Pas mbylljes të fazës së parë të konkurrimit “Mësues për Shqipërinë 2015” me vlerësimin e dosjeve të kandidatëve nga Drejtoritë/Zyrat Arsimore Rajonale, sot për të dytin vit radhasi, u zhvillua faza e dytë e konkurrimit ajo e testimit me shkrim. Ky testim u zhvillua në të 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale të vendit nga ora 10.00-12.30. Testimi monitorohet nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në 13 DAR të vendit në kushte të larta administrimi dhe sekretimi.
Testet për kandidatët janë hartuar nga ekspertë të fushës nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit.
Këtë vit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, konkurruan 3 900 kandidatë, nga të cilët 600 mësues vetëm në qarkun e Tiranës. Në këtë testim mund të marrin pjesë të gjithë ata kandidatë që plotësojnë kushtet e ligjshmërisë për ushtrimin e profesionit të mësuesit, sikurse edhe ata mësues të cilët janë në portal prej vitit të kaluar, por të cilët dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e pikëve të tyre.
E pranishme në një nga qendrat e administrimit të testimit në Tiranë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, vlerësoi testimin “Mësues për Shqipërinë”, si një standard të ri në sistemin arsimor i cili largon politikën dhe korrupsionin në emërimet e mësuesit, duke e zëvendësuar atë me një proces korrekt përzgjedhjeje të bazuar në transparencë dhe meritokraci.
“Sapo inspektova një qendër provimi të testimit rankues “Mësues për Shqipërinë”. Në fakt është qendra më e madhe e provimit dhe ka 300 punë-kërkues në arsim dhe ishim dëshmitar të një procesi strikt sekretimi dhe mirëadministrimi. Sot në Shqipëri 3 900 mësues që plotësojnë të gjitha kriteret ligjore, kanë shansin të jenë pjesë e një sistmi të ri punënisimi në arsim si një përgjigje e hapur në lufën ndaj ndërhyrjeve të politikës në punësimin e mësuesve, por sigurisht edhe një përgjigje e hapur ndaj korrupsionit. Është hera e dytë që, në përmjet këtij tekstimi të vlerësimit të punë kërkuesve në arsim, ne mundësojmë në mënyrë të menjëhershme tre gjera tepër të rëndësishme që do të sjellin një cilësi të re të burimeve njerëzore në arsim. Nuk ka më mësues pa arsim përkatës. Nuk ka më mësues jashtë profilit. Nuk ka më mësues në arsim që punësohen për shkak të ndërhyrjeve politike. Nuk ka më mësues që punësohen në arsim për shkak të korrupsionit. Por ka mësues që punësohen vetëm përmes meritës dhe një cilësie të re nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Përfitoj nga rasti t’ju uroj suksese 3 900 mësuesve që sot përfshihen në këtë testim. Sigurisht, pjesë e një historie të re suksesi për të mbështetur figurën e mësuesit, për të ritur cilësinë e formimit të fëmijëve të shqiptarëve dhe sigurisht, padyshim, një rrugë e re e udhëtimit të arsimit shqiptar drejt standardeve evropiane.” – u shpreh ministrja Nikolla.
Renditja përfundimtare për çdo profil/lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”.
Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.
Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të Komisionit të ngritur pranë Drejtorive/Zyrave Arsimore Rajonale.
Ndërkohë që procesi i korrigjimit të testeve do të fillojë menjëherë në javën pasuese, rezultatet përfunditare do të do të publikohen krahë çdo ID-je të kandidatëve në portalin “Mësues për Shqipërinë”, në ditët në vijim.
Çdo informacion i mëtejshëm rreth këtij testimi mund të gjendet në faqet zyrtare të çdo Drejtorie/Zyre Arsimore Rajonale, si dhe në portalin mësues.arsimi.gov.al