Postuar më: 12/02/2020

Thirrje për aplikim Përfaqësues rinor në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (ZRBR)

Thirrje për aplikim

Përfaqësues rinor në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (ZRBR)

 

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor është një mekanizëm institucional me funksionim të pavarur për bashkëpunim rinor ndërmjet pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor, me një mision që synon:

  • të mbështesë shkëmbimet rajonale të të rinjve, ndarjen mes tyre të ideve, si një bazë për perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen në rajonin tonë, bazuar në vlerat e bashkekzistencës, tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe diversitetin, si dhe angazhimin për gjithëpërfshirjen dhe sigurinë;
  • të rrisë bashkëpunimin rajonal ndërmjet të rinjve dhe institucioneve që u kushtohen të rinjve dhe të sigurojë zbatimin e programeve të përbashkëta për të rinjtë, me fokusin mbi parimet e qeverisjes demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsimin dhe inovacionin;
  • të koordinojë bashkëpunimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

 

Mandati i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (ZRBR) është të mbështesë projektet rinore që synojnë në, dhe kontribuojnë për:

  • nxitjen e diversitetit dhe vlerave demokratike;
  • rritjen e bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm mes të rinjve, dhe krijimin e marrëdhënieve të reja ndërmjet të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor;
  • inkurajimin e pajtimit dhe qasjeve konstruktive për kujtesën;
  • të mësuarin ndërkulturor;
  • rritjen e lëvizshmërisë rajonale;
  • nxitjen e frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe tolerancës;
  • pjesëmarrjen dhe qytetarinë aktive në proceset e vendimmarrjes për të rinjtë;
  • përfshirjen sociale dhe nxitjen e punësimit të të rinjve.

 

 

Përfaqësuesi Rinor në Bordin Drejtues bashkëpunon në realizimin e detyrave dhe angazhimin e nevojshëm me synim përmbushjen e funksionit të kësaj strukture si më poshtë:

Bordi Drejtues është autoriteti më i lartë vendimmarrës i ZRBR-së dhe përbëhet nga dy përfaqësues, një përfaqësues qeveritar që është përgjegjës i drejtpërdrejtë për politikat rinore dhe një përfaqësues rinor. Bordi drejtues:

  • përcakton rregullat e procedurës dhe rregullore të tjera dytësore për funksionimin e ZRBR-së;
  • përcakton një plan strategjik 3-vjeçar dhe plane operative vjetore të ZRBR-së;
  • përcakton buxhetin vjetor të ZRBR-së dhe planin e saj financiar për periudhën 3-vjeçare në vijim;
  • përcakton Raportin Vjetor të Programit;
  • përcakton Raportin Financiar Vjetor;
  • siguron mbështetje politike për planet strategjike, operative dhe financiare të ZRBR-së nga Palët Kontraktuese.

 

Referuar statutit të ZRBR-së, përfaqësuesi rinor duhet të jetë nga 18 deri 30 vjeç në fillim të mandatit dhe shërben për një mandat 3-vjeçar, pa mundësi për zgjatje mandati. Secila palë kontraktuese përzgjedh një përfaqësues rinor, duke përdorur mekanizmat e veta në një mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, dhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, në përputhje me nenin 16, të Statutit të ZRBR-së.

 

Për më shumë informacion rreth ZRBR-së, ju lutemi referojuni faqes zyrtare:

https://www.rycowb.org/

 

Informacion mbi procedurën e aplikimit dhe të përzgjedhjes

Mbështetur në ligjin nr. 116/2016 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor”, statutin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (ZRBR), ligjin nr. 75/2019 “Për rininë”, urdhrin e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përgjegjës për çështjet e rinisë, nr. 46, datë 07.02.2020 “Për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së përfaqësuesit rinor në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, mënyrën e caktimit të kritereve dhe përzgjedhjes së kandidatëve”, hapet thirrja për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së përfaqësuesit rinor në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (ZRBR).

 

Faza e 1-rë e procedurës:

Kandidatët duhet të aplikojnë nga data 12.02.2020 deri në datë 17.02.2020, nëpërmjet:

  • adresës elektronike rinia.ryco@arsimi.gov.al.duke ngarkuar dokumentet e specifikuara si më poshtë. I njëjti dokumentacion i depozituar në adresën elektronike, përcillet edhe në formë shkresore pranë MASR-së.

 

Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme për t’u kualifikuar :

  • të jetë shtetas shqiptar;
  • të jetë jo më pak se 18 vjeç dhe jo më shumë se 30 vjeç, në fillimin e mandatit;
  • të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • të mos jetë i dënuar apo i ndjekur penalisht nga organet e drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit;
  • të ketë minimalisht 2 vite përvojë angazhimi në aktivitete dhe veprimtari rinore;
  • të mos jetë anëtar i partive politike, pjesë e organeve drejtuese apo i forumeve rinore të tyre dhe organizatave politike.

 

Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e mëposhtëm:

  • fotokopje të letërnjoftimit;
  • formular vetëdeklarimi për gjendjen gjyqësore, i firmosur dhe skanuar, formatin e të cilit mund ta shkarkoni këtu;
  • formular vetëdeklarimi për mosqenien anëtar i partive politike, pjesë e organeve drejtuese apo i forumeve rinore të tyre dhe organizatave politike, i firmosur dhe skanuar, formatin e të të cilit mund ta shkarkoni këtu;
  • vërtetim për përvojën e angazhimit, i cili duhet të identifikojë qartësisht që ka qenë në fushën e rinisë;
  • prezantim i shkurtër i kandidatit (BIO) deri në 250 fjalë (shkollimi, përvoja në çështjet e rinisë, trajnime lidhur me fushën përkatëse, njohja e gjuhëve të huaja);
  • Autorizim për publikimin e prezantimit të kandidatit (BIO) në faqen zyrtare të ministrisë, sipas formatit, që mund ta shkarkoni këtu;
  • vetëdeklarim për vërtetësim e deklarimeve dhe dokumentacionit të dorëzuar, sipas formatit, që mund ta shkarkoni këtu.

 

Komisioni “Ad hoc”, i ngritur pranë ministrisë do të verifikojë dorëzimin e të gjithë dokumentacionit të mësipërm dhe publikon listën e kandidatëve, që kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin provues të plotësimit të kritereve kualifikuese. Çdo aplikim, i cili nuk përmbush kriteret e mësipërme, ka mungesë  dokumentacioni dhe nuk ka respektuar afatet e aplikimit, do të skualifikohet për vijimin e kandidimit.

 

Vetëm kandidatët e kualifikuar do të njoftohen në adresën elektronike, nëpërmjet së cilës kanë dërguar aplikimin. Kandidatët e tjerë kanë të drejtën e ankimimit, brenda dy ditësh nga njoftimi zyrtar i listës së kandidatëve të kualifikuar.

 

Faza e 2-të, votimi i kandidatëve

 

Kandidatët e kualifikuar do të votohen nga organizatat jofitimprurëse, që plotësojnë kriteret e mëposhtme, sipas parimit ‘një organizatë, një votë’, nëpërmjet adresës elektronike rinia.ryco@arsimi.gov.al.

 

Organizatat jofitimprurëse (OJF) që do të votojnë duhet:

 

  • të jenë të regjistruara në përputhje me legjislacionin shqiptar për organizatat jofitimprurëse;
  • të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre të parashikuar në statutin e organizatës aktivitete dhe veprimtari rinore;
  • të kenë status “aktiv”.

 

Organizata jofitimprurëse duhet të dërgojë në adresën elektronike rinia.ryco@arsimi.gov.al emrin e kandidatit që do të votojë dhe të ngarkojë dokumentacionin si më poshtë :

 

  • vendimin e gjykatës për regjistrimin;
  • statutin e miratuar;
  • NIPT;
  • vërtetim lidhur me statusin (aktiv/pasiv).

 

Në rastin e votimit të shumëfishtë nga e njëjta organizatë, votat e saj do të konsiderohen të pavlefshme.

 

Gjithashtu, do të konsiderohet e pavlefshme vota e organizatës jofitimprurëse, e cila nuk ka ngarkuar dokumentacionin si më sipër ose ka shkelur afatin e votimit, të paraqitur në thirrjen zyrtare.

 

Periudha e votimit do të jetë 7 (shtatë) ditë dhe hapja e votimit do të njoftohet sërish në faqen zyrtare të ministrisë.

 

Pas përfundimit të periudhës së votimit, Komisioni “Ad Hoc” bën numërimin e votave dhe lajmëron elektronikisht të gjithë kandidatët mbi numrin e votave të marra prej tij dhe renditjen e siguruar nga votimi.

 

Të gjithë kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë renditjen brenda dy ditëve nga lajmërimi elektronik.

 

Fitues shpallet kandidati që ka marrë numrin më të lartë të votave.

 

Shpallja e fituesit publikohet në faqen zyrtare të ministrisë, pas përfundimit të periudhës së ankimimit.

 

Të rejat e fundit