Postuar më: 15/12/2015

“Trashëgimia kulturore”, në fokus të shkollave komunitare të Beratit

“Trashëgimia kulturore”, në fokus të shkollave komunitare të Beratit

Në kuadër të projektit “Shkolla Qendër Komunitare”, Drejtoria Arsimore Rajonale Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Muzeumeve Berat organizoi Panairin e Trashëgimisë Kulturore me titull “Unë kujdesem për Trashëgiminë Kulturore”, me objekte Arti e Artizanati.

22 Institucione të Arsimit Parauniversitar, mes tyre shkolla 9- vjeçare e të mesme të DAR Berat, u bënë pjesë e panairit, ku prezantuan mijëra objekte Arti e Artizanti nga 50 deri 500 vjeçare, të grumbulluara nga familjet e gjithësecilit prej nxënësve. Çdo shkollë, u paraqit me një stendë përgatitur nën kujdesin e mësuesve të Histori – Gjeografisë, të shkollave përkatëse.

Ky panair, realizuar për herë të parë në Berat, përcjell një impakt të veçantë në komunitetin përreth sikurse edhe tek turistë e vizitorë të këtij qyteti muze. Në fund të këtij aktiviteti, u shpërndanë “Certifikata Mirënjohjeje” për shkollën më të mirë dhe nxënësin, i cili ishte kujdesur për të sjellë objektin më me vlerë në këtë panair.

Projekti “Shkolla si Qendër Komunitare”, nëpërmjet bashkëpunimit shkollë-prindër-komunitet, ka evidentuar se nisma si kjo mundësojnë gjithëpërfshirjen e qytarëve në jëtën e shkollës dhe rritjen e cilësisë së saj, si edhe përcjellin vlera të shumë anshme edukative dhe artistike të cilat ndihmojnë në zhvillimin intelektual e kulturor të nxënësve.