Të dashur studentë, pedagogë dhe punonjës të universiteteve!
Kohët e fundit, jo vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, por edhe privatisht në numrin tim të telefonit, më kanë ardhur nga studentët çdo ditë qindra mesazhe për hapjen e auditoreve. Disave u jam përgjigjur, e disave të tjerëve ndjesë që nuk kam mundur dot.
Por, dua t’ju them SINQERISHT të gjithëve, që jo vetëm si Ministre, që kam përgjegjësinë madhore për t’ju shërbyer, por edhe si çdo prind e qytetar, që shqetësohet për edukimin e brezit të ri, i vlerësoj dhe i mirëkuptoj të gjitha mesazhet tuaja.
Prandaj, para pak ditësh, bazuar në kërkesat e vazhdueshme të studentëve dhe pedagogëve, si dhe pas një takimi të gjatë me rektorët e të gjitha universiteteve, publike dhe jo-publike, i kam drejtuar një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve, për të vlerësuar propozimet e tyre mbi mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit.
Që në fillim, dua të falenderoj maksimalisht të gjithë anëtarët e këtij Komiteti, të cilët me shumë mirëkuptim dhe përkushtim, iu përgjigjën pozitivisht shqetësimeve tona të përbashkëta lidhur me një proces kaq të rëndësishëm siç është përmbyllja e një semestri akademik.
Besoj fort që ky është një hap pozitiv për të lehtësuar sadopak efektet që pandemia COVID-19 ka shkaktuar në sistemin tonë arsimor, ashtu si në shumë sektorë të tjerë edhe në mbarë globin.
Prandaj, që nga ky moment, duke qenë se përgjegjësia jonë e përbashkët është shumë e lartë, për të garantuar një proces të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit, do të kërkoja nga të gjitha universitetet:
Natyrisht që çdo universitet, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të përgatisë një rregullore më të detajuar për të gjithë studentët dhe pedagogët, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e këtij procesi.
Së fundmi, duke i njohur shumë mirë të gjitha sfidat dhe vështirësitë e mësimit “online”, i jam thellësisht mirënjohëse çdo studenti e pedagogu për të gjithë durimin dhe sakrificën e treguar deri më tani.
Shpresoj shumë që kjo dritë jeshile, që na hapi sot Komiteti i Ekspertëve, të na japë më shumë optimizëm, mirëkuptim dhe solidaritet për të përballuar situatën.
Duke ju falenderuar edhe një herë të gjithëve, ju uroj sa më shumë suksese për një sezon të mbarë provimesh dhe mbi të gjitha shëndet për ju dhe familjet tuaja!