Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte dje e pranishme në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), Durrës, ku shprehu mbështetjen për vazhdimësinë e këtij programi, i cili mundëson që studenti të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me tregun e punës.
Ministrja Nikolla tha, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, se i gjithë sistemi arsimor duhet të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit, si dhe tek krijimi i mundësive për realizim të projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Për t’ju përgjigjur kësaj sfide, sfidës së zhvillimit të vendit, Programi i Qeverisë e ka vënë fokusin në punësimin dhe zhvillimin cilësor të forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe udhëzimet e Bashkimit Evropian, të Strategjisë Evropiane të punësimit 2020, si të dhe kërkesave për integrimin evropian të Shqipërisë”, tha Lindita Nikolla.
Ministrja shtoi se reforma e arsimit të lartë do të mundësojë jo vetëm krijimin e hapësirave të nevojshme, por gjithashtu do të nxisë universitetet që të jenë në vijën e parë të stimulimit të politikbërjes drejt fushave me rëndësi prioritare në zhvillimin e vendit.
“Sfida jonë, si edhe në shumë vende të tjerë, është cilësi në sistemin e arsimit dhe të edukimit, në mënyrë që të garantohet që rezultatet e të mësuarit të përkthehen në aftësi të cilat përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe nxisin rritjen ekonomike”, u shpreh Nikolla.
Studentët e diplomuar u përkasin dy programeve të ofruara nga FASTIP, “Menaxhimi i bankave’ dhe “Menaxhimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme”, programe të cilat për pjesën teorike ofrojnë njohuritë e nevojshme mësimore në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit, ndërsa pranë kompanive private studentët praktikojnë bazat teorike.