Postuar më: 07/10/2017

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i Vitit”

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i Vitit”

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve kanë organizuar për herë të parë në vend Çmimin Kombëtar për Mësuesin e Vitit, në Shqipëri. Fituesi i këtij çmimi do të bëhet pjesë e finalistëve të Çmimit Botëror për Mësuesin, aktivitet që organizohet çdo vit nga Fondacioni Varkey.

Ditën e sotme, në 6 Tetor 2017, në ambientet e shkollës “Kushtrimi i Lirisë” u organizua ceremonia e shpalljes së mësueses Dhurata Myrtollari, si fituese e çmimit “Mësuesi i Vitit” në rang kombëtar, konkurs në të cilin pjesëmarrës ishin të gjithë mësuesit të cilët japin mësim në arsimin parauniversitar publik edhe privat në vend.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Mësuesi i Vitit”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, shprehu edhe njëherë angazhimin e saj për të vijuar edhe më tej mbështetjen për mësuesit në të gjithë vendin.

“Në detyrën time si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë krenohem me mësuesit në të gjithë vendin ku secili prej tyre, falë punës që bën çdo ditë, sjellë risi në klasat ku punon. Ndjehem e nderuar që ky kompeticion i dha mundësinë për herë të parë Shqipërisë dhe të gjithëve ne që ti shprehim mirënjohjen tonë mësuesve. Në emër të qeverisë, të MASR dhe në emër të këtij komuniteti, Dhuratë e dashur të falenderoj shumë që na bërë të ndjehemi krenarë e t’i kthejmë syte tek mësuesit të cilët nuk e ndjejnë dorën e shtetit, qeverisë e shoqërisë për t’i mbështetur e për të qënë krah në realizimin e misionit të tyre. Besoj se Dhurata është shembulli për të ftuar mësues të tjerë të Shqipërisë që të përfshihen në të tilla angazhime për t’iu dhënë forcë. Më lejoni të angazhohem edhe për këtë mandat të ri, se do të vijoj të mbetem zëri juaj për të bërë më të mirën dhe për të mundësuar më shumë mbështetje të merituar tek ju. Misioni juaj është një mision që buron nga zemra në gjithë atë që ju përçoni gjatë orës së mësimit. “

 Dhurata Myrtollari, fituesja e çmimit “Mësuesi i Vitit”, është mësuese e gjuhës shqipe në shkollën “Kushtrimi I Lirisë” që prej vitit 2006.