Një komision me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka intervistuar sot, kandidatët që kanë aplikuar për të përfituar nga kuotat e kategorive të veçanta, për studimet e ciklit të parë në IAL publike.
Për të qenë sa më korrekt dhe transparent, MAS ka përcaktuar këtë vit edhe zhvillimin e intervistave me gojë, si një risi për kandidatët që kanë statusin e të verbrit, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit, romët dhe ballkano-egjiptianët.
Pasi kanë aplikuar me dosjet e tyre pranë MAS, sot ata kanë zhvilluar intervistat me gojë ku kanë shprehur interesin e tyre për të vazhduar studimet, këtë vit akademik, në degët që kanë përzgjedhur.
Për herë të parë, MAS po i kushton këtë vit një vëmendje të veçantë kategorive të invalidëve paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe jetimëve duke akorduar për ta kuota të veçanta për të ndjekur studimet në IAL-të publike.
Në bazë të VKM 517 datë 01.08.2014 janë përcaktuar 15 kuota për të verbrit, 20 për romët dhe ballkano-egjiptianët, 15 për invalidët paraplegjik dhe tetraplegjik dhe 15 për jetimët.