Provimi i matematikës përforcoi edhe një herë standardin e arritur në provimin e “Gjuhës shqipe dhe Letërsisë”, duke shënuar kthesën në drejtim të mirëadministrimit të Maturës Shtetërore. Ky përkushtim dhe interesim për provimin e Maturës Shtetërore nuk ka qenë asnjëherë në këtë nivel. Rikthimi i dinjitetit këtij provimi shtetëror, është fryt i punës në skuadër.
Për këtë arsye shpreh mirënjohjen e thellë ndaj gjithë trupës së administratorëve, stafit të MAS-it, si dhe DAR/ZA-ve. Një falënderim i veçantë shkon për Postën Shqiptare, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Shëndetësisë, ÇEZ, partnerë të cilët na ndihmuan në sigurimin e këtij standardi, si një prej objektivave në drejtim të arritjes së sigurimit të cilësisë në arsim.
Natyrisht, duhet të kemi parasysh se nuk është e thjeshtë që të bësh kthesë pas kaq vitesh abuzimi me Maturën Shtetërore, abuzime që nga shitja e tezës, keq-menaxhimi pse jo dhe i qëllimshëm, mungesës së korrektësisë etj. Ajo që ne bëmë të mundur dhe do të mundësojmë deri në përfundimin e të gjitha provimeve të Maturës Shtetërore 2014, është vendosja e këtij procesi në kuadrin e një standardi, për këtë nuk do të ketë kthim prapa.
Shprehim keqardhjen tonë që rreth 50 maturantë, të cilët shkelën Rregulloren e Maturës Shtetërore dhe dispozitat e saj për sa i përket moslejimin e përdorimit të celularëve, etj. Maturantët u njohën paraprakisht me këto rregulla dhe ne i kemi përsëritur e ripërsëritur në çdo kontakt me ta dhe me deklarata për shtyp.
Ne qartësuam çdo aspekt të procesit qysh në fillim, siç ishin “Cutt-off”-i, pesha e mesatares, modalitet e provimit, penalitete të qarta për shkelësit etj. Është e qartë që procese të mirë administruara, transparente dhe që promovojnë meritokracinë, ndërtohen në partneritet të shëndetshëm midis institucioneve dhe shoqërisë, midis institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në to. Asgjë nuk mund të realizohet, nëse në këtë partneritet nuk ka besim reciprok.
Detyra jonë është administrimi me përgjegjësi i procesit dhe realizimi i transparencës. Ndaj në këtë kuadër po ju njoh me disa prej momenteve më të rëndësishme, lidhur me Maturën Shtetërore 2014, si dhe me disa prej problematikave të hasura gjatë provimit të Matematikës, zhvilluar ditën e djeshme.
Në provimin e detyruar, lënda “Matematikë”, MSH 2014, sesioni i parë, zhvilluar në dt. 09.06.2014, ishin regjistruar 45,032 maturantë.
Testi u hartua për 7 ditë nga specialistë lëndorë të AKP-së, përfaqësues të MAS-it, mësues me përvojë dhe u shumëfishua në kushtet e një sigurie dhe sekreti të plotë.
AKP-ja ka qenë nën kujdesin e forcave të policisë përgjatë gjithë ditëve të hartimit dhe shumëfishimit të testeve.
Testi është mbështetur në programin orientues të lëndës së Matematikës, si edhe nën miratimin e MAS-it.
Testi përmban 25 pyetje (13 me alternativa dhe 12 me zgjidhje), të cilat vlerësojnë objektivat e programit orientues dhe janë në përputhje të plotë me natyrën e pyetjeve që nxënësit kanë ndeshur gjatë gjithë viteve të tyre, të shkollimit.
Testi në total vlerësohet me 50 pikë maksimale.
Testi garanton vlerësimin e nxënësve, sipas aftësive që ata zotërojnë dhe ka tri nivele: Niveli I – 40% – 20 pikë; Niveli II- 40% -20 pikë; Niveli III- 20 % – 10 pikë
Skema e vlerësimit qartëson në mënyrë të detajuar përgjigjet e sakta, me qëllim standardizimin e korrigjimit nga ana e vlerësuesve.
Respektimi i këtyre niveleve nga hartuesit e testit garanton që nxënësit të vlerësohen, sipas aftësive që ata zotërojnë.
Vlerësuesit e testit janë mësues me përvojë, të trajnuar rregullisht nga AKP dhe që përpara fillimit të procesit të korrigjimit do t’i nënshtrohen sërish një trajnimi të detajuar.
Skema e vlerësimit të testit është e publikuar në faqen e MAS-it dhe AKP-së.
Vlerësimi i testeve fillon në dt.12 Qershor në qendrat e vlerësimit: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier.
Shpallja e rezultateve do të bëhet 2 javë pas përfundimit të testit të matematikës.
Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20%) për të qenë kalues.
Shoqërimi i testeve nga AKP, DAR/ZA-të në qendrat e vlerësimit dhe anasjelltas, u krye në zbatim të rregullores së MSH 2014, si dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer të MAS-it me Postën Shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme.
Hedhja e shortit për caktimin e PAP dhe AS, u krye në orën 6.00 pranë çdo DAR/ZA-je;
Problematikat e shfaqura gjatë procesit të provimit në të gjitha DAR/ZA-të janë si më poshtë vijon:
Nxënës me celularë të kapur gjatë provimit ishin 28 (njëzet e tetë) gjithsej nga të cilët:
ZA Kuçovë – 1 nxënës
DAR Elbasan – 3 nxënës
ZA Bulqizë – 2 nxënës
DAR Lezhë – 1 nxënës
DAR Vlorë – 3 nxënës
DAR Tiranë – 2 nxënës
DAR Kukës – 2 nxënës
DAR Fier – 10 nxënës
ZA Lushnje – 1 nxënës
ZA Krujë – 3 nxënës
Këta maturantë janë pezulluar, siç edhe parashikon Rregullorja e MSH 2014. Koha e pezullimit varion nga fillimi i testimit, në orën 10.00, deri në përfundim të tij, në orën 12.30 kur u konstatuan dhe shkeljet.
Nxënës të kapur me kopje në letër ishin 8 (tetë) në të gjitha DAR/ZA, nga të cilët:
ZA Skrapar – 2 nxënës
DAR Elbasan – 1 nxënës
DAR Shkodër – 1 nxënës
DAR Tirana Qark – 1 nxënës
DAR Durrës – 1 nxënës
ZA Krujë – 1 nxënës
ZA Pukë – 1 nxënës
Gjithashtu, dhe në këto raste është marrë masa e pezullimit të maturantëve, sipas parashikimit të Rregullores të MSH 2014.
Nxënës me teste të dëmtuara (shenja dhe barkod i dëmtuar) ishin 4 (katër) gjithsej.
Nxënës të konstatuar me identitete të rremë ishin 16 (gjashtëmbëdhjetë) : 1 në DAR Berat, 1 në ZA Kavajë, 4 në DAR Kukës, 10 në DAR Durrës.
Nxënës me probleme shëndetësore ishin 2 (dy) gjithsej; 1 nxënës në ZA Mat dhe 1 nxënës në DAR Tirana Qark.
Administratorë të përjashtuar nga procesi për menaxhim jo të rregullt, sipas Rregullores së MSH, janë konstatuar 13 (trembëdhjetë) administratorë të përjashtuar nga të cilët:
DAR Fier – 1 administrator, DAR Durrës – 3 administratorë, DAR Kukës – 8 administratorë, ZA Pukë – 1 administrator
Për këta administratorë janë marrë masa, sipas Rregullores të MSH 2014 dhe Kodit të Punës.
Nxënës të përjashtuar për moszbatim të Rregullores së MSH 2014 janë 3 (tre) gjithsej: DAR Shkodër – 1 nxënës, ZA Kamëz – 1 nxënës dhe DAR Durrës – 1 nxënës.
Këto janë disa nga të dhënat me qëllim informimin e opinionit publik dhe hedhjen dritë mbi sa është thënë për procesin e djeshëm.
Ne jemi të hapur për çdo sqarim të mëtejshëm dhe e konsiderojmë punën dhe informimin nga ana e mediave si pjesë e domosdoshme e punës tonë, për të ndërtuar procese me standarde cilësore.
Ndaj, lejomëni t’ju drejtohem me një ftesë të gjitha mediave dhe publikut. Mos hezitoni të na informoni. Ne kemi shqyrtuar dhe po shqyrtojmë, me verifikime, të cilat do të ndiqen nga masat e nevojshme dhe të parashikuara në ligj, për çdo rast të denconcuar prej jush.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për punën tuaj, po e mbyll me një urim për të gjithë maturantët; suksese!
Kjo është një fitore jo vetëm e MAS-it, por edhe një e mirë kombëtare, një vlerë morale ndaj qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare.
Faleminderit!