Postuar më: 15/11/2018

KONKURS GLOBAL PËR TË ARDHMEN E HAPSIRËS AJRORE

UNESCO në partneritet me Arbus ka shpallur një konkurs global “Fly Your Ideas”, i cili synon të grumbulloje studentët në mbarë botën për të sjellë ide dhe risi për zhvillimin e hapësirës ajrore në të ardhmen. Airbus është një korporatë evropiane e hapësirës ajrore, e regjistruar në Holandë dhe që operon gjithashtu në Francë, Gjermani dhe Spanjë. Kjo korporatë prodhon dhe shet produkte të hapësirës ajrore civile dhe ushtarake në të gjithë botën, në vende të shumta brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Kompania ka tre linja prodhimi dhe shitjeje që përfshijnë: aeroplanët komercialë, avionët për mbrojtje dhe hapësirë, helikopterët dhe industrinë më fitimprurëse të saj për prodhimin e turbinave për avionë dhe helikopterë.

Duke filluar që nga viti 2008, mbi 20,000 studentë nga mbi 650 universitete dhe 100 vende në mbarë botën janë regjistruar për konkursin ndërkombëtar “Fly Your Ideas” ku më shumë se 400 punonjës të Airbus punojnë vullnetarisht në mbështetje të këtij konkursi. “Fly Your Ideas” është një mundësi unike për studentët ndërkombëtarë dhe ka për qëllim të stimulojë dhe aktivizojë të rinjtë për të prezantuar ide novatore që do të mundësojnë zgjidhjet për çështjet që lidhen me të ardhmen e aviacionit.

Ekipet e ngritura për këtë konkurrim përbëhen nga 3-5 studentë nga e gjithë bota, që aktualisht studiojnë në një nga ciklet e studimit: Bachelor, Master ose PhD në disiplina të caktuara të fushës akademike. Konkursi i vitit 2019 fokusohet për çështje të tilla si përdorimi i teknologjive më të fundit digjitale me synimin për të gjetur  zgjidhje të zgjuara për një botë më të sigurt, më të pastër dhe më të mirë.

Konkurimi përfshin 3 (tre) raunde konkuruese. Në përfundim të këtij procesi do të seleksionohen 6 (gjashtë) skuadra finaliste, të cilat do të paraqesin idetë e tyre pranë një Jurie të Airbus, ku në përbërje do të ketë edhe ekspertë të fushës së aviacionit. Në përfundim të këtij konkurrimi (maj-qershor 2019) fituesit që do të kenë shans për të fituar do të shpërblehen financiarisht nga një pjesë e fondit të përbashkët prej 45,000 €.

Për një informacion më të hollësishëm dhe për sqarime të mëtejshme  lidhur me këtë program dhe afatet përkatëse, ju lutemi referojuni faqes të internetit:

https://www.airbus-fyi.com;

e-mail: r.Sigamoney@unesco.org, tel: +33145682237

 

DREJTORIA E INTEGRIMIT, KOORDINIMIT, MARRËVESHJEVE DHE ASISTENCËS

Të rejat e fundit