***
Në një postim në rrjetin e saj social facebook, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini, bëri të ditur se janë mbyllur zgjedhjet e para për “Parlamentin e Nxënësve” të Shqipërisë.
140 kryetarë nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të përfaqësojnë shkollat e bashkive të tyre në “Parlamentin e nxënësve”.
“Jam super e impresionuar me angazhimin dhe seriozitetin e garuesve dhe mezi po pres që deputetët e rinj të themelojnë parlamentin dhe të fillojmë me debatet për cilësinë e shërbimit arsimor nëpër shkolla” – theksoi Shahini në postimin e saj.
Ajo shprehet gjithashtu: “për të gjithë ata që nuk kanë marrë votat e duhura për të qenë pjesë e parlamentit, kini parasysh se do të organizojmë aktivitete në secilën bashki”.
“Parlamenti i Nxënësve” të Shqipërisë do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, në fokus të punës të të cilit do të jetë zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimin e shtuar të tyre në vendimmarrje.
***