Me kërkesë të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Pavarur te Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, priti sot në një takim në ambientet e MAS përfaqësuesit e këtyre sindikatave. Në kuadër të dialogut social me sindikatat dhe nevojës për dëgjimin dhe bashkëpunimin me grupet e interesit, znj. Nikolla shprehu angazhimin e saj personal dhe të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me këto sindikata partnere, në funksion të zbatimit të politikave arsimore të Qeverisë.
Zbatimi i reformës arsimore dhe veçanërisht arritja e objektivit për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë zuri një pjesë të konsiderueshme të takimit të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla me përfaqësuesit e këtyre sindikatave. Ministrja Nikolla, theksoi gjithashtu se marrëdhëniet ekzistuese midis MAS-it dhe sindikatave do të vazhdojnë të konsolidohen edhe në nivelin e dytë ndërmjet DAR/ZA-ve, si dhe seksioneve sindikale të sindikatave partnere, bazuar në dispozitat ligjore.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sindikatave vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën angazhimin e tyre për trajtimin e problemeve madhore me të cilat përballet sistemi arsimor. Ftesa për bashkëpunim midis MAS-it dhe sindikatave, u prit me entuziazëm nga përfaqësuesit e sindikatave, të cilët mbështetën programin politik të Qeverisë Rama, si dhe reformat që ky program synon të zbatoj në këtë fushë. Arsimi cilësor, trajtimi i figurës së mësuesit, roli dhe personaliteti i tij, bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin, dhe vënia e shkollës në funksion jo vetëm të arsimimit por dhe të përçimit të edukatës qytetare dhe vlerave demokratike në mbarë vendin ishin ato tema për të cilat u vu theksi i të dyja palëve për nje bashkëpunim dhe kontribut gjithëpërfshirës.