*
Në interpelancën qytetare këtë herë është diskutuar për mësuesit ndihmës dhe punonjësit e shërbimit psiko-social, të cilët kanë thirrur në interpelancë Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini për mbështetjen ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara (AK) në sistemin arsimor parauniversitar.
Në fjalën e saj, Ministrja Shahini ka theksuar se politikat e zbatuara në lidhje me fëmijët me AK kanë luajtur një rol emancipues edhe në familjet e tyre, teksa theksoi se kërkesa e kësaj interpelance si dhe ngritja e shqetësimit dhe opinionet e palëve të interesit i kanë dhënë energji punës në arsim dhe i ka dhënë prioritet mënyrës se si po zbatohet gjithë-përfshirja në arsimin parauniversitar në Shqipëri.
Ministrja nënvizoi se sot janë 930 mësues ndihmës në sistem dhe numri i tyre do të rritet vazhdimisht. Kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të nxënësve me aftësi të kufizuara që janë sot nëpër shkolla. Nga 3,200 nxënës me AK, sot ky numër është rreth 4,400 nxënës me AK.
Ajo më tej ka shtuar se politika për secilin mësues ndihmës në sistem do të vijë duke u shtuar gjithmonë nga viti në vit. Këtë vit do të jenë rreth 60 mësues shtesë, kështu që numri i përgjithshëm pritet të arrijë në 1000 mësues ndihmës. Në vijim, do të bëhet plani për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës sipas nevojave nëpër shkolla të ndryshme.
Lidhur me pyetjen se çfarë do të bëhet në vijim me ato psikologë që më parë kanë punuar si mësues ndihmës, Ministrja Shahini duke vlerësuar rolin e tyre u shpreh: :
“Për shkak të diskutimeve që kemi pasur javët e fundit, ne i kemi dhënë pak më shumë energji finalizimit të procesit të licencimit të mësuesve ndihmës. Dikush nga ky profil ose nga mësuesia që më pas ka bërë master në pedagogji speciale, duhet të kalojë nëpër procesin e licencimit për profilin “Arsim Special”, i cili do të punojë si mësues ndihmës duke u punësuar si mësues ndihmës nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Për gjithë ju që keni punuar në këtë fazë të ndërmjetme, do t’ju njihet si praktikë pune – e gjithë periudha që keni bërë në sistem. Unë mendoj që duhet prapë t’ju angazhojmë edhe në fazën e ndërmjetme me kontrata të përkohshme derisa të merrni licencën, në mënyrë që të na ndihmoni nëpër shkolla ku ende kemi nevojë për mësuesit ndihmës dhe nuk janë plotësuar vendet e punës, dhe të punoni afër fëmijëve me AK. Kjo është edhe risia kryesore që po e shpalosim këtu. Jemi gati me të gjithë elementët që kemi pasur nevojë t’i përgatisim për të licencuar mësuesin ndihmës dhe të kemi vërtetë persona të profilizuar dhe profesional në aspektin e ndihmesës që ka një nxënës me AK brenda klasës”.
**