MUNDËSI STUDIMI NË KOLEGJET E BOTËS SË BASHKUAR (UWC)
Qendra Ndërkombëtare e “Kolegjeve të Botës së Bashkuar” (United World College International) për vitet akademike 2019-2021 ofron studime në nivel parauniversitar në shtatë kolegjet e botës së bashkuar (UWC) që ndodhen në vendet: Itali, Bosnjë dhe Herzegovinë, Hollandë, Armeni, Hong Kong, Kosta Rika dhe Kinë.
Sqarojmë se United World College (UWC) është një rrjet shkollash të cilat ofrojnë diplomë IB (International Baccalaureate) në një mjedis ndërkombëtar për studentë të moshës 16 deri në 18 vjeç. Programi kurrikular ndërkombëtar 2-vjeçar, “International Baccalaureate Diploma” ofrohet në gjuhën angleze. Komiteti Kombëtar i Shqipërisë, i cili vepron në bazë të një memorandumi të nënshkruar me zyrën qendrore të UWC në Londër, është një organizatë jo-qeveritare e regjistruar në Shqipëri për të ushtruar veprimtarinë në lidhje me këtë program ndërkombëtar. Komiteti shqiptar drejtohet nga ish-studentë që kanë përfunduar këtë sistem shkollor dhe synon të sigurojë transparencë dhe integritet maksimal për të gjitha procedurat përkatëse të shtrira në disa faza të aplikimit. Procesi i aplikimit përfshin edhe intervistat në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve më përfaqësuesit e huaj të kësaj qendre dhe ish-studentë nga Komiteti Kombëtar për Shqipërinë. Dhjetë studentët e përzgjedhur janë përfitues të një burse të plotë, të pjesshme apo të drejte studimi në një prej shkollave të rrjetit UWC.
Aplikimet fillojnë më 12 Tetor 2018 dhe mbyllen në datën 11 Nëntor 2018.
Për një informacion më të hollësishëm dhe për sqarime të mëtejshme lidhur me këtë program, ju lutemi referojuni faqeve të internetit: www.al.uwc.org; www.uwc.org, email: info@al.uwc.org.
DREJTORIA E INTEGRIMIT, KOORDINIMIT, MARRËVESHJEVE DHE ASISTENCËS