Postuar më: 06/10/2016

Në ndihmë të maturantëve për regjistrimin në raundin e dytë

 

Të dashur maturantë/kandidatë,

Raundi i dytë i regjistrimeve është një moment shumë i rëndësishëm për ju.  Ky moment ju ofron mundësinë për të realizuar dëshirën tuaj për t’u arsimuar dhe për të fituar dije të reja në auditorët e institucioneve tona të arsimit të lartë.

Me anë të kësaj deklarate Ministria e Arsimit dhe Sportit iu drejtohet të gjithë ju që do të vijoni me regjistrimet në raundin e dytë të pranimeve në programet e studimit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në funksion të këtij procesi ka  vënë në përdorim një program të kompjuterizuar që është i lidhur me të gjitha sekretaritë e njësive kryesore ku bëhen regjistrimet. Çdo përditësim lidhur me regjistrimet e kandidatëve do të bëhet në kohë reale.

Kjo do të lejojë edhe kontrollin në kohë reale të veprimeve të kryera nga të gjithë kandidatët në programet e ndryshme të studimit, për të cilat jeni të interesuar, dhe për pasojë, operimin e menjëhershëm në përgjigje të veprimeve të kërkuara nga kandidatët apo sekretaritë mësimore.

Nisur nga fakti se preferencat tuaja janë shprehur përmes aplikimeve me shumë alternativa, shanset për të fituar janë mjaft të gjera. Nga ana tjetër,  është e kuptueshme që do të ketë kandidatë që do të fitojnë më shumë se një alternativë duke bllokuar më shumë kuota.

Asnjë panik!

Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se raundi i dytë vijon me fazat e mëtejshme të uljes së vizës për kandidatët fitues, duke vendosur në dispozicion të gjitha kuotat e mbetura të paplotësuara për çdo program studimi, deri në plotësimin e të gjitha këtyre kuotave nga kandidatët e rankuar në listën përfundimtare të shpallur më datë 12 tetor 2016 nga institucionet e arsimit të lartë. Pra, nuk do të ketë kuota të paplotësuara në të gjitha ato programe ku ka kandidatë të rankuar në lista.

Për të siguruar një informim sa më të plotë të studentit për mundësitë e regjistrimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përgatitur një program të informatizuar që  i mundëson çdo kandidati të verifikojë në kohë reale mundësitë që ai ka për t’u regjistruar në raundin e dytë, por jo vetëm, edhe mundësitë që do të ketë në fazën e mëpasme të uljes së vizës, po në kohë reale, që gjatë raundit të dytë. Kështu, ju mund të zgjidhni të regjistroheni në ato programe ku rezultoni fitues gjatë fazës së dytë apo në ato që ju shfaqen si mundësi që në raundin e dytë, por që mund të regjistroheni gjatë zbritjes së vizës që është faza e mëpasme. Nëse ju zgjidhni këtë të fundit, humbisni mundësinë për t’u regjistruar në programet ku ishit fitues gjatë raundit të dytë, duke liruar vendet për kandidatët e tjerë që presin uljen e vizës.

Asnjë shqetësim dhe për kandidatët që kanë rezultuar jofitues deri në fund të raundit të dytë!

Këta kandidatë duhet të presin fazat pasardhëse, pasi për regjistrimet në përfundim të çdo faze mundësitë shfaqen në fazën e mëpasme, në fillim të saj, si dhe gjatë regjistrimeve në kohë reale më pas. Ulja e vizës së fituesit të fundit do të bëhet pas mbylljes së procesit të regjistrimeve për raundin e dytë, më datë 16 tetor 2016 dhe do të pasohet nga dy nënfaza të tjera 2-ditore, gjatë të cilave do të plotësohen të gjitha kuotat e mbetura pa plotësuar.

Për të gjitha procedurat, në faqen web të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, do të gjeni videot dhe manualet shpjeguese me sqarime të detajuara lidhur me procesin.

Duke qenë se mbarëvajtja e procesit garanton plotësimin e të gjitha  kuotave për kandidatët, të rankuara për programin përkatës të studimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka angazhuar  gjithë stafin e saj dhe të institucioneve të varësisë në funksion të garantimit të zbatimit korrekt të procedurave të regjistrimit nga ana e sekretarive të fakulteteve, sipas procedurave të miratuara dhe  të demonstruara në videot e publikuara  në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Nga ju, kërkohet maturi dhe njohje e plotë e procesit të regjistrimit, që do të thotë vëmendje dhe saktësi në veprimet që do të kryeni  në zgjedhjen tuaj për regjistrim në programin e studimit. Duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë që lejon sistemi, sepse gjatë procesit të regjistrimit krijohen hapësira të reja. Në mbyllje të procesit do të ketë mbulim të plotë të kuotave dhe njëkohësisht plotësim të aspiratave të kandidatëve dhe familjeve të tyre për arsimim në institucionet e arsimit të lartë.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, më lejoni t’ju garantoj bashkëpunimin, mbështetjen dhe  seriozitetin e stafit akademik dhe administrativ të institucioneve të arsimit të lartë në funksion të mbarëvajtjes dhe suksesit të këtij procesi.

Suksese!

Manuali Shpjegues i Portalit të Klasifikimit të  Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për kandidatët në IAL-të publike dhe private