Sot me datën 04.10.2017 në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Nikoll Lleshi” Gjegjan, rreth orës 10 të mëngjesit, pas njoftimit dhe propozimit të drejtorisë së shkollës, Zyra Arsimore ka pezulluar procesin mësimor, pasi disa nxënës kanë paraqitur probleme shëndetësore.
Një ditë më parë, më datë 03.10.2017, rreth orës 14:00, pas përfundimit të procesit mësimor, ambientet e brendshme të shkollës janë dezinfektuar nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik Pukë, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Bashkisë së qytetit . Sot nxënësit dhe mësuesit u paraqitën pranë shkollës sipas orarit mësimor në orën 0740, ndërsa shërbimi sanitar i shkollës po vazhdonte të kryente pastrimin e ambienteve. Për këtë arsye drejtoria e shkollës në bashkëpunim me mësuesit vendosën shtyrjen e mësimit me një orë, ata gjykuan se duheshin ajrosur ambientet e shkollës, pasi vërehej aromë e rëndë e lëndëve dezinfektuese. Gjatë kësaj kohe u ajrosën ambientet e shkollës duke hapur dyer e dritare si dhe u pastruan këto ambiente. Mësimi filloi në orën 9.00 dhe rreth orës 10 nxënësit filluan të paraqesin shqetësime shëndetësore. Me të marrë shqetësimin drejtori i Zyrës Arsimore u paraqit menjëherë pranë Qendrës Shëndetësore Gjegjan dhe urdhëroi pezullimin e mësimit deri në një njoftim të dytë.
Gjatë gjithë kohës drejtoria e shkollës ka shoqëruar pranë ambienteve të Qendrës Shëndetësore nxënësit dhe mësuesit që paraqitën probleme.
Fëmijët që paraqitën probleme shëndetësore u trajtuan me serume pranë Qendrës Shëndetësore Gjegjan, gjithsej 7 raste nga të cilat 2 raste u transportuan në spitalin e Pukës për trajtim të specializuar, aktualisht gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Rreth orës 1200 në ambientet e shkollës u paraqit grupi i përfaqësuesve të DSHP –së të cilët morën kampione në pjesë të caktuara të ambienteve të brendshme të shkollës dhe po konkludojnë mbi shkaqet e mundshme që shkaktuan probleme shëndetësore të fëmijëve.
Situata po monitorohet me përparësi hap pas hapi, dhe në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.