Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) njofton kandidatët me statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik, të verbrit, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit si dhe romët dhe ballkano-egjiptianët, të aplikojnë direkt në MAS, nga data 03 – 10 Nëntor 2014, për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike, viti akademik 2014-2015.
Kandidatët të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit sipas formularit në Shtojcën nr. 1, bashkëlidhur Udhëzimit Nr. 52, datë 03.11.2014. Dokumentet që duhen dorëzuar i gjeni në Udhëzimin Nr. 52, në link-un e mëposhtëm.
Udhëzimit Nr. 52, datë 03.11.2014
Për herë të parë, MAS po i kushton këtë vit një vëmendje të veçantë kategorive të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe jetimëve duke akorduar për ta kuota të veçanta për të ndjekur studimet në IAL-të publike, edhe në ciklin e dytë të studimeve.
Komisioni i posaçëm, me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të shqyrtojë dhe vlerësojë aplikimet e kandidatëve me statusin përkatës. Pjesë e vlerësimit do të jetë dhe intervista me secilin kandidat, që zhvillohet nga Komisioni i Posaçëm.
Aplikimet me dokumentacion të paplotë nuk merren në konsideratë.
Vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë, si dhe eventualisht në notën mesatare të të gjitha viteve të shkollës së mesme, duke vlerësuar dhe programet që gjykohet të jenë prioritare për kategoritë përkatëse, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet pritëse të çdo IAL-je për programin përkatës të studimit. Nëse, do të rezultojnë kandidatë me pikë të barabarta, do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS.
Emërtimi dhe ID e programit përkatës që do të shënohet në 5 preferencat i gjeni në link e tabelave, sipas VKM, Nr.668 datë 15.10.2014