Postuar më: 18/10/2019

“Pakti për Universitetin”/Durrës, nis shpërndarja e kartave të studentit

**

 

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, shpërndarja e kartave të studentit ka vijuar në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

 

Për studentët e këtij universiteti, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka lançuar nisjen e këtij procesi, një premtim i mbajtur nga ana e MASR dhe i realizuar falë bashkëpunimit me Postën Shqiptare.

 

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Shahini u shpreh se karta e studentit ka qenë kërkesë e hershme e studentëve që tani u plotësua.

 

“Gjersa gjendja financiare e studentëve nuk është e mirë, çdo ulje çmimi për ta është një ndihmesë për ta dhe familjet e tyre”, tha ajo.

 

Ndër të tjera ajo theksoi: “Kemi pritur gjatë duke menduar se universitetet do të arrijnë të organizohen dhe ta ofrojnë vetë kartën e studentit, që ky i fundit të përfitojë shërbime dhe produkte me ulje çmimi. Kjo nuk ndodhi për shumë arsye. Kështu që menduam zgjidhjen tjetër”.

 

Janë bërë disa marrëveshje me ministritë e tjera që studentët të mund marrin shërbime me çmim të reduktuar. Për universitetet që janë jashtë Tiranës është bërë një marrëveshje me Postën Shqiptare, e cila ka mundësinë që të prodhojë kartën dhe të ofrojë edhe shërbime të saj me ulje çmimi. Aty do të përfshihen edhe shërbimet e tjera që ofrohen në nivel kombëtar.

 

Ministrja Shahini tha se së shpejti pritet që finalizohet një marrëveshje me bashkinë e Durrësit për shërbimet specifike që kjo bashki mund t’u vërë në përdorim të studentëve duke përfituar ulje çmimi.

 

Krahas këtyre, do të shtohen edhe shumë shërbime nga ofertues privatë si kancelari, parukeri e shumë vende të tjera ku studentët kanë nevojë, në mënyrë që të kenë jetë sa më cilësore studentore, diçka që sipas ministres Shahini studentët e meritojnë ta kenë.

 

“E nisëm shpërndarjen e kartës së studentit ashtu siç e kemi premtuar! Unë besoj që do të përfitoni shumë shërbime dhe të gjitha marrëveshjet që do të bëjmë në vazhdimësi do t’i përfshijmë gradualisht tek karta e studentit,” – tha ministrja.

 

Duke i uruar për një vit të suksesshëm akademik, ministrja Shahini nënvizoi se në një kohë shumë të shkurtër edhe studentët e vitit të parë do të pajisen me kartë studenti, direkt pas matrikullimit.

Të rejat e fundit