Nga muaji janar projekti “Mendimi Im, Forca Ime” është bërë gjithnjë e më i preferuar nga nxënësit e shkollave në të gjithë vendin. Ky projekt, i cili përcakton çdo javë një temë në bazë të çështjeve të aktualitetit apo programit mësimor, nxit tek nxënësit aftësitë krijuese, mendimin kritik, shkrimin e saktë dhe të bukur të gjuhës shqipe.
Këtë javë, në kuadër të 21 marsit, Ditës së Poezisë, nxënës nga gjithë Shqipëria u angazhuan me punime kreative. Rrjeti Profesional i Mësuesve të Gjuhës dhe Letërsisë përzgjodhi 5 poezitë më të mira, të cilat u përkisnin nxënësve të shkollave nga Shkodra, Tirana, Lushnja Maliqi dhe Gramshi.
Punimet u bënë publike nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, në një postim në rrjete sociale.
“Jam mrekulluar këtë javë nga talenti krijues letrar i nxënësve tanë në të gjithë Shqipërinë. Ishte e pamundur të zgjidhnim vetëm një fitues nga një mori poezish emocionuese në kuadër të projektit “Mendimi Im, Forca Ime”, ku këtë herë zgjodhëm temën e lumturisë në kuadër të datës 21 Mars, Ditës së Poezisë. Ju ftoj të mos i humbisni këto poezi që jam e bindur që do jua zbukurojnë këtë fundjavë”- shkruan Ministrja Kushi në postimin e saj në rrjetet sociale.
PUNIMET E NXËNËSVE:
SEKRETI
I zhytur në këtë det,
Seç dremit ky shpirti im
I përhumbur mes valëve
Ndjek fijet e ndritura të lumturisë.
Flutura të bardha shprese
Kërkojnë të prekin ëndrrat e mia
Te kthinat e zemrave të përflakura,
Ku atë pasdite trokiti dashuria.
Për një moment gjithçka shkëndijohet,
Si një shi i zjarrtë gëzimi.
Dhe vala tretet mbi rërë
Pa asnjë pikë pendimi…
E shpirti si vrapues amok
I çmendur zhytet në det
Për të gjetur atë që i mungon
“Çelësi i lumturisë” mbeti sekret.
Geraldo Enes Rexhvelaj,
shkolla “Atë Pjetër Meshkalla”, Shkodër
###
E KA EMRIN LUMTURI
Lumturi! Buzëqeshje engjëjsh zbritur parajsës,
Duartrokitje e hareshme fëmijësh ngazëllyeshëm jetës,
Çast ëndrrash realizuar mes mundit e lotëve,
Drithërimë shpirti ngopur dëshirash pafund.
Jam unë njeriu, bota dhe lumturia ngahershëm adhuruar,
Një binom hareje ndër shekuj kërkuar,
që kurrë nuk rendi së shpresuari.
E flaktë lumturia ime çan mjegujt që koha përpara mi vë,
E brishtë, si vesa lëndinave plot bar kuruar,
E kristaltë, lumturi më je, si loti rrokullisur mbi faqe.
Eh, zemër dehur!
Tek rend drejt lumturisë,
Hap horizonte, shtron shtigje.
Ti dhe vetëm ti di të jesh kaq magjike.
Ndjenjë e thellë në lulëzim,
Mos resht së më kapluari.
Elia Kadisi,
Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë
###
FLETËZ DITARI
Mbrëmë desha të takoja lumturinë,
Llafazanen e heshtur, në copa letre hedhur.
Në mesnatë e preka, bashkë me fëmijërinë,
Si imazhet e humbura prej flakëve e djegur.
Më kritikoi rritjen ajo copë letre e zbehur,
Buzëqeshjen e syve ma bëri pjesë rruge,
Ndërsa unë vrapoja, si të isha e dehur,
Dhe një motiv i fjetur s’më hiqej prej buze.
E pas mesnate veç dorën i zgjata,
Me të, të më merrte rrëmbim i dashuruar.
Me drojë u afrua si të mos donte ta prekja,
Ma la një ditar të më prehej në duar.
Pragmëngjesit më kaploi buzëqeshja,
Prej atij ditari shkruar në fëmijëri.
I mbylla kapakët e rëndë sa dhimbja,
Nuk qenka e lehtë të rijetosh lumturi.
Stela Kapidani,
shkolla “Vath Koreshi”, Lushnjë
###
GRIMCA RËRE
Sonte nuk donte asnjë gërmë të fliste,
U ul buzë detit, si rrallë herë pa lot në sy,
Zgjodhi që këtë herë në mendime të mos humbiste,
Të mos mendonte as për ty.
Në grimcat e rërës filloi të luante,
I ngjanin si grimca lumturie.
Ndoshta aq shumë, jo, ajo nuk kërkonte,
Vetëm disa që mund të mos e linin më në hije.
Me to filloi e ndërtoi,
Buza po i qeshte si atëherë.
Aq shumë grimca mblodhi, si nuk përtoi?
Qeshi dhe me flokët që i vallëzonin në erë.
Qeshi gjatë gjithë kohës,
Dhe papritmas pa që një kala rëre kishte ndërtuar,
Nuk e shqetësuan më akrepat e orës,
As fakti që kishte erdhur koha për t’u larguar.
U largua si dikur kur ishte fëmijë,
E ktheu kokën dhe gjurmët pa,
I buzëqeshi për herë të fundit asaj kalaje,
Asaj që grimca lumturije i dha.
Petra Orhan,
shkolla “Dhimitraq Gjata”, Rëmbec, Maliq
###
LUMTURIA
Nëse lumturia do të matej me smerald,
Drita e saj do të verbonte diellin.
Nëse dashuria do të vishej me diamant,
Shkëlqimi do të pushtonte qiellin.
Lumturia çel si syth qershize
Në degën e thyer nga pendët e zogut,
Nuk ngjan ajo me hije mrizi
Ku blegërimat fshihen në lulet e shtogut.
Në një buzë që digjet, gjej lumturinë.
Prekja e duarve puth gjakun që më vlon,
Melodia e zërit tret ankthin tim,
Shuhem syrit tënd, diell që perëndon.
Deti i dashurisë – unazë rreth meje,
Valët e qeta puthen netëve me rërën,
Si çadër shumëngjyrëshe, hija na mbulon
Më sjell lumturinë në mesin e ëndrrës.
Vesë mbi trëndafil, petale ngjyrë malli
Qeshur rreze e diellit, lëkurën lëmon.
Mbledhur lumturia në dromca kristali
E ndjej në eter, na mbush kur frymon.
Desar Kllogjri,
shkolla “Shefqet Guzi”, Gramsh