Postuar më: 17/10/2019

PROJEKTLIGJI “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK PËR VITIN 2018”

 

Ministrja Shahini: “Projekte të rëndësishme të realizuara si rezultat i rritjes buxhetore”

 

**

Në seancën plenare të Kuvendit gjatë diskutimit të projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik për vitin 2018”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini theksoi qartë se buxheti i arsimit është rritur ndër vite.

“Ky është vetëm një fakt i padiskutueshëm. Është rritur si shifër totale, është rritur edhe kur përpjesëtohet me numrin e nxënësve e studentëve përfitues të këtij buxheti. Nga viti 2013-të deri në vitin 2018-të, i janë shtuar 10 miliard lekë të reja buxhetit për arsim. Nxënësit në vitin 2013, me buxhetin e planifikuar nga Partia Demokratike kanë marrë rreth 50 mijë lekë të reja të investuara për secilin nxënës, ndërsa studentët (rreth 70 mijë) kanë përfituar nga buxheti i atij viti. Sot që flasim, për vitin 2018-të, është 80 mijë lekë të reja për secilin nxënës dhe 90 mijë lek të reja të investuara për secilin student. Dhe kjo ka vazhduar të rritet si shumë totale, edhe e përpjesëtuar për numrin e përfituesve”, u shpreh ajo.

Duke i cilësuar këto shifra si pozitive, Ministrja Shahini u shpreh se është e rëndësishme të nënvizohen edhe projektet që janë realizuar me këtë rritje buxhetore.

“Janë ndërtuar 71 shkolla me buxhetin e vitin 2018-të dhe janë përfunduar edhe 40 të tjera të mbartura nga viti 2017-të. Kemi filluar nismën e librave falas që kanë lehtësuar jashtëzakonisht shumë buxhetin familjar për arsimimin e fëmijëve të tyre. 600 milion lekë të reja për librat falas për të gjithë nxënësit e klasave 1-4 në vitin 2018-të, pastaj shtuam klasën e 5-të për vitin 2019-të, si dhe të gjithë nxënësit e tjerë që i përkasin kategorive të veçanta. Janë rritur pagat e mësuesve, ashtu siç është premtuar në vitin 2013-të. Çdo vit, edhe në vitin 2018-të, ka patur rritje prej 7% të pagës së mësuesve. Janë shtuar mësuesit ndihmës në sistem. Nuk ka patur mësues ndihmës në sistem në vitin 2013-të. Por në vitin 2018-të, janë shtuar rreth 900 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha ajo.

Duke u ndalur tek Arsimi i Lartë, Ministrja Shahini nënvizoi se risia e vitit 2018-të ishte investimi nëpër konvikte. “Studentët që jetojnë në konvikte zakonisht vijnë nga familje me më pak të ardhura, mund të jenë edhe familje me asistencë sociale. Por ata meritojnë të jetojnë mirë në banesa moderne. Investimi nëpër konvikte filloi në vitin 2018-të, por vazhdon edhe në vitin 2019-të që të mbyllet plotësisht në vitin 2020-të”, u shpreh ajo.

Ministrja Shahini cilësoi se ka mjaftueshëm indikatorë që në fakt tregojnë se si arsimi parauniversitar ashtu edhe arsimi i lartë janë në përmirësim e sipër – si cilësia e arsimit, eksperienca e nxënësve nëpër shkolla, ashtu edhe eksperienca e studentëve nëpër universitete.

“Testi PISA që mat aftësitë bazë të nxënësve (15 vjeçarëve) në gjuhë-letërsi, matematikë dhe shkenca, është bërë në vitin 2012-të. Është përsëritur në vitin 2015-të. Dhe Shqipëria mes vitit 2012-të dhe vitit 2015-të ka shënuar rritjen më të madhe nga të gjitha vendet anëtare në rezultatet e nxënësve në gjuhë-letërsi, në matematikë dhe në shkenca. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla është rritur jashtëzakonisht shumë në krahasim me siç ka qenë më përpara. Sot janë rreth 4,500 fëmijë dhe është si rezultat i rritjes së numrit të mësuesve ndihmës nëpër shkolla. Sot kemi mësues shumë më të përgatitur seç kemi pasur më përpara. Kemi libra shumë më të mirë, duke marrë parasysh që kemi përfshirë libra nga botues të rëndësishëm si Oxford, Cambridge, Pearson dhe të përkthyera në kontekstin shqiptar. Kemi shumë më pak fëmijë që nuk vazhdojnë shkollën e mesme. Në vitin 2012-të, rreth 4 mijë nxënës nga shkolla 8-vjeçare nuk kanë kaluar në shkollën e mesme. Ndërsa në vitin 2018-të, kjo shifër ka rënë në 1 mijë. Duhet të bjerë në ZERO – jam plotësisht dakord me kritikët, por përmirësim të jashtëzakonshëm ka pasur.  Rritja e buxhetit për arsimin ndër vite, dhe sidomos nga viti 2017-të në vitin 2018-të, reflekton faktin se arsimi është prioritet për këtë qeveri. Në vitin 2019-të kemi vazhduar me rritjen e buxhetit, sidomos për arsimin e lartë”, u shpreh Ministrja Shahini.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Shahini u ndal edhe tek “keqinformimi i ditëve të fundit” se “gjoja janë 2.5 milion euro më pak për arsimin e lartë”.

“Unë si ministër që mbulon arsimin, natyrisht që do të kërkoj rritje të mëtutjeshme të buxhetit dhe pajtohem me kritikët se duhet vazhdimisht të kemi buxhet më të lartë për të arritur rezultate që synojmë në fushën e arsimit. Por nuk toleroj që të keqinformojmë dhe të gënjejmë për ato se çfarë janë arritur me rritjen e vazhdueshme të buxhetit në fushën e arsimit. Apo nuk toleroj disa gënjeshtra që ishin botuar këtë javë për “gjoja zvogëlimin e buxhetit të arsimit të lartë”. Ishin botuar nëpër portalet tona se “gjoja janë 2.5 milion euro më pak për arsimin e lartë” – KJO NUK ËSHTË FARE E VËRTETË!”, teksa shtoi gjithashtu:

“Po të dinin të lexonin buxhetin, do të shihnin se thjesht ka qenë një kalim i buxhetit tek FSHZH në mënyrë që të mund të investohet në konviktet – një nevojë që doli jo vetëm nga protesta e studentëve në dhjetor 2018-të, por një nevojë që ekzistonte realisht e artikuluar nga të gjithë studentët që jetonin nëpër konvikte”.

 

***

Të rejat e fundit