Postuar më: 17/09/2018

Reagimi i Ministrisë së Arsimit mbi rastin e pezullimit të 16 mësuesve në një shkollë të Lushnjës

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me prokurorinë e Lushnjës ka ndjekur me seriozitet situatën deri në pezullimin e 16 mësuesve në shkollën 9-vjeçare të fshatit Çermë e Sipërme në Lushnje.

 

Sqarojmë opinionin publik se:

Bazuar në kallëzimin e bërë gjatë viteve 2010-2013 se në shkollën 9-vjeçare Çermë e  Sipërme ka pasur regjistrime fiktive, Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal për “Falsifikimin e dokumenteve shkollore”.

Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh për këtë rast duke kërkuar sot nga gjykata pezullimin e 16 mësuesve.

Ky vendim është zbatuar menjëherë nga Zyra Arsimore Lushnje duke marrë masa të menjëhershme për zëvendësimin e këtyre mësuesve dhe mos pasur asnjë pengesë për mbarëvajtjen mësimore.

Ministria e Arsimit mbështet vijimin e hetimit nga organet ligj-zbatuese dhe siguron se për nxënësit e shkollës nuk do të ketë asnjë pengesë për të vijuar normalisht procesin mësimor.

Ftojmë prindërit, mësuesit dhe nxënësit të denoncojnë çdo shkelje apo parregullsi të konstatuar në sistemin tonë arsimor.