Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur sot, në një takim studentët serbë dhe shqiptarë të shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë, Srdan Verbic.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse në këtë takim, Ministrja Nikolla e cilësoi vizitën e studentëve serb në vendin tonë si një histori të bukur të fqinjësisë së mirë dhe pjesë e një procesi ndryshimi.
“Ju u bëtë pjesë e një procesi ndryshimi dhe përmes historive, të kësaj vizite, që do të përcillni në vendin tuaj, shumë e më shumë do të kuptojmë se sa të rëndësishme janë urat e komunikimit dhe sa të rëndësishme janë këto projekte të fqinjësisë së mirë dhe të qëndrimeve e shprehive evropiane që udhëhiqen nga ju, të rinjtë”, tha Nikolla.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit shtoi se së bashku me Ministrin Verbic janë të vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, për shkëmbimet e studentëve, profesorëve, por jo vetëm.
“Që në takimin e parë që kemi pasur me Ministrin Verbic kemi diskutuar se sa i rëndësishëm dhe sa kyç është pozicioni i Ministrit të Arsimit për të mundësuar një histori të re suksesi, përmes bashkëpunimeve dhe iniciativave të përbashkëta”, deklaroi Ministrja Nikolla.
Me rastin e ndeshjes Shqipëri-Serbi, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ftuar studentë të moshës 18-21 vjeç që të ndjekin ndeshjen e futbollit. Gjatë qëndrimit të tyre dy ditor në vendin tonë, ata do të jenë miqtë e disa familjeve shqiptare.
Kjo iniciativë realizohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke zgjeruar hapësirën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve mes të rinjve shqiptar dhe serb, në fushën e arsimit, rinisë, kulturës dhe sportit.
Pas takimit me Kryeministrin Rama, studentët serb e shqiptare do të udhëtojnë drejt Durrësit e më pas drejt Elbasanit për të ndjekur ndeshjen e futbollit mes dy vendeve, në “Elbasan Arena”.